Femra ndërmjet Islamit dhe modernizimit Perëndimor

Femra ndërmjet Islamit dhe modernizimit Perëndimor

Përgatiti: M.M

 Femra ndërmjet Islamit dhe modernizimit Perëndimor” ka qenë tema e simpoziumit të radhës të organizuar nga shoqata Balkan Muslim Society “DRITA” (BMS “DRITA”), në Veri të Londrës, më 9 mars 2019.

Ky simpozium, i cili erdhi si përgjigje e nevojës së emigranteve myslimane për të analizuar gjendjen dhe situatën aktuale të jetesës në vendet e migracionit, u ndoq nga një numër i madh femrash nga të gjitha trevat shqiptare, një pjesë e të cilave kanë ardhur nga jashtë Londrës posaçërisht për këtë rast.

Aktiviteti, më shumë se një simpozium i thjeshtë me leksione informuese, ishte dizajnuar në formën e një veprimtarie informativo-kulturore, ku profesionalja ndërthurej me shkencoren dhe kulturoren.

Simpoziumi u hap me disa verseve nga Kurani, të lexuara nga Dafina Arifi dhe u moderua nga Behare Vitia, e cila pasi uroi mirëseardhjen në simpozium ia la fjalën Myrvete Kajtazi-Zasellës për të bërë një pasqyrë përmbledhëse të veprimtarive të shoqatës nga themelimi i saj në 2009 deri më tani.

Panelistet, Sumeja Peza-Idrizi, Teologe, e ardhur posaçërisht nga Maqedonia për këtë simpozium dhe Jeni Myftari, juriste, pjesë e diaporës shqiptare në Britani, sollën për të pranishmet tema të kundërta në vështrimin e parë por të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën në përcjelljen e mesazhit.

Femra pjesëtare aktive e familjes dhe shoqërisë, parë nga perspektiva Islame

Sumeja Idrizi ligjëroi temën me titull Femra pjesëtare aktive e familjes dhe shoqërisë, parë nga perspektiva Islame”. Në fjalën e saj Idrizi foli gjerësisht për rolin e femrës në Islam. Ajo tregoi për dipozitat e shumta Islame të cilat janë rregullatori i jetës në përgjithësi dhe i femrës në veçanti.

“Femra myslimane -tha Idrizi- përkundër asaj që mendohet apo praktikohet në jetën e përditëshme ka një rol të një rëndësie të barabartë me burrin dhe shpesh më të madh se ai në Islam”. Nëpërmjet shembujve të shumtë nga historia Islame, ajo tregoi për femrën si pjesë aktive e jetës politike, ekonomike, sociale dhe të të gjitha fushave të tjera të jetës. “Rëndësia e femrës në rolin e saj si bijë, bashkëshorte, nënë dhe gjyshe është themeli i çdo shoqërie, që prej fillimit të jetës në këtë tokë e deri në fund të saj. Por femra –vazhdoi Sumeja Idrizi- nuk dallohet vetëm në këtë fushë të jetës. Ajo është e aftë të drejtojë jo vetëm familjen por edhe jetën shoqërore e politike në të gjitha aspektet e saj. Historia tregon se femra myslimane është studiuese, shkencëtare, dijetare, politikane, drejtuese e aftë e të gjitha fushave të jetës pa përjashtim”.

Idrizi e ilustroi fjalën e saj me shembuj të shumtë duke përmendur emra femrash të suksesshme përgjatë hitorisë dhe fushat në të cilat ato janë dalluar.

Përballja me sfidat për të jetuar si praktikante myslimane në mes të liberalizimit Perëndimor

Jeni Myftari mbajti temën me titull “Përballja me sfidat për të jetuar si praktikante myslimane në mes të liberalizimit Perëndimor”. Në fjalën e saj Myftari bëri një analizë të thellë të sfidave me të cilat përballet femra myslimane në jetën e përditëshme.

“Problemet e femrës myslimane janë të shumta dhe e kanë zanafillën brenda vetë mënyrën se si zbatohet Islmi në jetën e përditëshme –tha ajo. Këto probleme lindin si pasojë e mënyrave të gabuara të spjegimit të fesë në përgjithësi dhe të rolit të femrës në familje dhe shoqëri, në veçanti. Duhet bërë më shumë në drejtim të zbatimit të fesë për të dalluar traditën nga fetarja – vazhdoi Myftari”.

Më pas Jeni Myftari analizoi gjendjen e femrës migrante në Përëndim. Ajo foli për sfidat brenda dhe jashtë familjes, për përplasjen kulturore, për problemet e punësimit, shkollimit, barazisë gjinore etj. Gjithashtu ajo foli për rolin e politikës dhe medias në nxitjen e islamofobisë dhe përcjelljen e informacionit të gabuar mbi Islamin.

“Duhet punuar shumë në drejtim të ndërgjegjësimit të opinionit publik dhe të prezantimit të Islamit me drejtësi dhe përgjegjshmëri. Për këtë duhet të rritet shkalla e edukimit të të dy gjinive, duhet të prezantohet Islami i vërtetë në mënyrë shkencore dhe profesionale. Veç këtyre, qeveritë perëndimore duhet të punojnë më shumë në luftën kundër islamofobisë dhe politika e media duhet të ndryshojnë mënyrën e prezantimit të gabuar të Islamit dhe të bëhen pasqyrë e së vërtetës së pasdiskutueshme: pastërtisë dhe vlerave të Islamit burimor – përfundoi Myftari”.

Program artistik

Simpoziumin e përshëndetën një grup fëmijësh të cilët nën moderimin e Enida Metës, freskuan këtë mbrëmje me zërat e tyre gazmorë duke treguar nderim e dashuri për nënat dhe gjyshet.

Hadije Gjergjizi sponsorizoi përgatitjen e disa dhuratave simbolike për fëmijët, pjesëmarrës në program. Nëpërmjet këtyre dhuratave, të përgatitura nga një nënë, u përcoll tek fëmijët mesazhi i dashurisë së nënave për bijtë dhe bijat e tyre, duke lutur Allahun të mundësojë rritjen dhe edukimin e brezave të moralshëm dhe të ditur, që ti shërbejnë Islamit dhe vendit.

Mbrëmja u mbyll me një koktel të përgatitur nga vetë anëtaret e BMS “Drita”.

 

Mbresa

Të pranishmet në aktivitet u shprehën se simpoziumi ka trajtuar një temë shumë të ndjeshme dhe të domosdoshme njëkohësisht. Ato vlerësuan nivelin akademik dhe profesional të trajtimit të temave dhe njëkohësisht admiruan mesazhin e përcjellë nga fëmijët nëpërmjet këngëve dhe vjershave të sjella në këtë mbrëmje në gjuhën amëtare, shqipe.

Së fundmi ata shprehën mirënjohje për BMS “Drita” e cila në vazhdimësi ka organizuar për publikun aktivitete me tematika atdhetare dhe Islame si dhe ka trajtuar problematika bashkëkohore.